slider_bg_3

Humbja e lirisë
Kur më 1479, Shkodra, qyteti i fundit i lirë i këtyre trojeve të lagura nga Adriatiku, ra në duart e osmanëve, Shqipëria e humbi lirinë e saj për rreth pesëqind vjet. Lavdia e Arbërit të lirë do të venitej dhe Shqipëria nuk do të ishte më “një zonjë e randë, e burrat e dheut ta thirrshin Nanë”

Prej asaj kohe Perandoria osmane do të sundonte me thundër të hekurt dhe mungesa e lirisë do të ndihej në çdo aspekt të jetës së shqiptarëve. Në fakt, mungesa e lirisë nuk ështe gjë tjetër veçse pamundësia për të qenë i lirë, për të folur si i lirë, për të vepruar si i lirë. Kjo ishte tashmë gjendja e vendit dhe fatkeqësisht do ta shoqëronte atë për shumë vite e dekada – pesëqind vjet robëri!
Por kur e krahasojmë robërinë kombëtare me gjendjen tonë individuale në një nivel shpirtëror, vëmë re se ekziston edhe një vartësi tjetër, një skllavëri tjetër. Jezusi thotë se kush mëkaton është skllav i mëkatit. Ne e shohim atë çdo ditë në jetën tonë. Ne nuk mund të rrimë pa menduar keq, pa folur keq dhe pa bërë keq. Sa vite të rinj kanë ardhur dhe ne kemi vendosur në zemrën tonë të ndryshojmë, të fillojmë një jetë të re dhe mesi i janarit na ka gjetur njësoj si fundi i dhjetorit? Kjo ndodh sepse mëkati është brenda nesh dhe na ka lidhur me prangat e tij. “Të gjithë kanë mëkatuar – thotë Bibla – dhe nuk mund të krahasohen standartin që Perëndia kërkon prej nesh”.

Përpjekja drejt lirisë.

Ndërsa në fillim të shekullit të kaluar Perandoria Osmane – i sëmuri i Bosforit – po lëngonte midis dy kontinenteve, etërit e kombit tonë e kuptuan se kishte ardhur momenti i përshtatshëm për pavarësinë e vendit. O tani o kurrë! Por shtetet kufitare kishin pretendime territoriale ndaj Shqiperisë. Me fillimin e Luftës Ballkanike dhe me ndihmën aktive të Rusisë, shtetet sllavo-bullgare dhe Greqia po shfrytëzonin rastin të aneksonin pothuajse të gjithë territorin shqiptar. Ato po i shqyenin trojet tona si çakejtë kaprollin e pandihmë. Për këtë arsye etërit e kombit shtuan përpjekjet e tyre jo vetëm në vend, por veçanërisht jashtë vendit për fitimin e pavarësisë. Në Vjenë, Ismail Vlora u paraqiti përfaqësuesve britanik, italian dhe austro-hungarez qëllimin e shqiptarëve për mëvetësi. Pasi mori mbështetjen e Fuqive të Mëdha, sidomos përkrahjen e Ministrit të Jashtëm austro-hungarez Kontit Berthold,ai u nis me shpejtësi për në atdhe. Përpara se të fitohej në Shqipëri, pavarësia duhej të përgatitej jashtë vendit. Më 18 nëntor të 1912Ismail Qemali u dërgoi telegramin historik atdhetarëve që po prisnin në Shqipëri: “E ardhmja e Shqipniës asht sigurue”.
Ashtu si nën shtypjen osmane, shqiptarët nuk mund ta fitonin pavarësinë pa mbështetjen nga jashtë, edhe nën shtypjen e mëkatit ne nuk mund ta fitojmë vet lirinë shpirtërore. I mbyturi nuk mund të shpëtohet nga vetvetja; ka nevojë për një varkë që ta nxjerrë në breg. Perëndia kur na pa në gjendjen tone të pashpresë, dërgoi Zotin Jezus për të na shpëtuar nga mëkatet. Ai duke vdekur në kryq mori dënimin që ne meritonim për mëkatet tona. Bibla thotë: “I drejti vdiq për të padrejtët!” Ai na zëvendësoi sepse na deshi. Ne sot mendojmë me respekt për dashmirësinë e Fuqive të Mëdha njëqind vjet më parë ndaj popullit tonë të pambrojtur. Shumë më e madhe dhe e gjerë ishte dashmirësia, dashuria dhe mëshira e Perëndisë, jo vetëm ndaj nesh por edhe ndaj gjithë botës.
Shpëtimtarët e kombit arritën atë ditë të javës së tretë të nëntorit të 1912 prej Triestes në mëmëdhe për të shpallur pavarësinë. Zoti Jezus Shpëtimtari i Botës erdhi dymijë vjet më parë në tokë për të fituar lirinë tonë shpirtërore! Ai u jep lirinë e tij të gjithë atyre që me pendim dhe besim pranojnë se ai vdiq për ta, në vend të tyre!

Kremtimi i lirisë
Pavarësia që ne gëzojmë sot u fitua me gjakun e dëshmorëve të kryengritjeve shqiptare. Falë gjakut të tyre ne jemi të lirë sot. Ata dhanë jetën për lirinë tonë! Dhe ndërsa hedhim sytë drejt Jezusit shohim se si ai vdiq në vendin tonë; falë gjakut të tij ne mund çlirohemi sot. Ai dha jetën për lirinë tonë! Por jo vetëm kaq. Ai, fitimtar e mposhti vdekjen dhe u ringjall duke ngritur lart flamurin e lirisë së përjetshme i gatshëm të na jape edhe ne sot një jetë të re!
Dhe ndërsa kremtojmë ditëlindjen historike të kombit tonë të lashtë, le ta pyesim veten: A jam unë me të vërtetë i lirë? A jam unë i çliruar prej së keqes? A e kam pranuar si timen fitoren e Jezusit? Përgjigja e këtyre pyetjeve përcakton jo vetëm vazhdimin e jetës këtu mbi tokë, por edhe fatin tim të përjetshëm.

Ai që tha: “Kush mëkaton është skllav i mëkatit” shtoi gjithashtu: “Nëse unë do t’ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë!” -JEZUS KRISHTI