Dashuri e vërtetë

Dashuri e vërtetë
Jezusit iu kërkua të tregonte «urdhërimin e madh të ligjit». Përgjigjja e tij hedh themelin për bindje ndaj çdo urdhërimi të Perëndisë: «Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.
Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi» (Mt. 22:36-38). Duke i shtuar një shpjegim esencial dashurisë së vërtetë, Pali shpalli: «Po të flisja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve dhe të mos kisha dashuri [bamirësi], do të bëhesha si një bronz që kumbon ose si cimbali që tingëllon [...] dhe ta jepja trupin tim që të digjej, e të mos kisha dashuri, nuk do të më vlente asgjë» (1 Kor. 13:1-13).
Ajo «që quhet në mënyrë të rreme shkencë» (1 Tim. 6:20) ka vendosur kohët e fundit që të diskreditojë dashurinë njerëzore nën maskën se është duke e mbështetur atë. «Shkenca» pretendon se ka identifikuar një pjesë të trurit ku qëndron «dashuria e qëndrueshme». Shkencëtarët kanë përcaktuar të njëjtin vend në trutë e mjellmave, e minjve të fushave dhe dhelprave të hirta. Kjo supozohet të jetë një inkurajim për një çift që, për shembull, kanë qenë të martuar për 25 ose madje 50 vjet, që të dinë se ka një «shpjegim shkencor» për atë që ata e kanë menduar, për tërë këto vjet, si dashuri të vërtetë. A jam duke sugjeruar se nëse do të kishte një shpjegim shkencor për dashurinë, që dashuria nuk mund të ishte e vërtetë? Po! Kjo ngre pyetjen: «Çfarë është dashuri e vërtetë?»
Francis Krik (Francis Crick), një nga zbuluesit e gjuhës në molekulën e ADN-së, ishte ka i dashuruar pas shkencës, që shpalli me fitore: «Ju, gëzimet dhe dhimbjet tuaja, kujtimet dhe ambiciet tuaja, ndjenja e identitetit personal dhe e vullnetit të lirë, nuk janë, në fakt, asgjë më shumë se sa sjellja e një grupi të madh qelizash nervore si dhe i molekulave të tyre përkatëse».
A e bën dikë të lumtur që t'i vihet ky epitaf për çfarë u mendua se ishin përvoja të vërteta gëzimi, altruizmi, sakrifice, kënaqësie dhe kështu me radhë? Përse jam duke thënë se një shpjegim «shkencor» i këtyre emocioneve, që janë kaq reale në jetën tonë, shpall vdekjen e tyre?
Këtu na vjen në mendje ai burrë i cili, sa herë shkonte në shtëpinë e një miku dhe i ofrohej një gotë ujë, do t'i derdhte atë në fytyrën e mikpritësit apo të mikpritëses. Pasi kjo ndodhi disa herë, miku i tij i hutuar tha: «Më bëj një nder dhe shko te një psikiatër. Nuk do të të lejoj të vish në shtëpinë time derisa të jesh kuruar nga ky zakon mizor!»
Pasi dëgjoi se ky burrë ishte trajtuar me psikoterapi intensive për gjashtë muaj, miku e ftoi përsëri për darkë. Mikpritësja ishte pak e kujdesshme kur i solli një gotë ujë dhe, siç pritej, në mes të ushqimit, ai e hodhi befas të gjithë ujin në fytyrën e mikpritëses.
«Nuk jam poshtëruar kurrë kaq shumë në jetën time», bërtiti ajo. «Ky është një fustan i ri. Ai mund të lahet vetëm në pastrimin kimik dhe tani ti e ke prishur!»
Miku shfajësues shpjegoi: «Kam qenë trajtuar me psikoterapi intensive për gjashtë muaj dhe psikiatri më tha se jam i shëruar!»
«I shëruar! Ai duhet të jetë i çmendur!»
«Unë jam i shëruar. Më parë, kur e bëja këtë veprim, ndihesha shumë keq, por tani që ai më ka shpjeguar se përse e bë këtë, nuk ndihem më fajtor!»
Psikologët duan të krijojnë një botë pa faj, ku askush nuk është ndonjëherë në faj. Avokatët mbrojtës do të mbrojnë gjithnjë klientët e tyre me fjalët: «A nuk kishte çfarë të bënte – kjo është në gjenet e tij!» Sigurisht, ky është thjesht një version modern i [shprehjes]: «Djalli më bëri ta kryej këtë gjë».
Ky justifikim i shkathët nuk konsiderohet i vërtetë në jetën e përditshme. Ateisti drejtues Riçard Daukinsi duke i hutuar nga jeta reale. Ajo nuk i ndjek rregullat sipas kuptimit të tij të seleksionimit natyror. Për shembull, në librin e tij «Gjeni egoist», Daukinsi shkruan:
Çdo gjë që ka evoluar nga seleksionimi natyror duhet të jetë egoiste.... Nëse gjejmë se [...] sjellja njerëzore është vërtetë altruiste, atëherë do të përballemi me diçka të çuditshme që kërkon shpjegim. [1]
«Çdo gjë»? Gjërat nuk janë as bujare, as egoiste. Megjithëkëtë, një tezë kryesore e librit të parë të Daukinsit ishte se gjenet janë egoiste. [2]
Përse thotë Daukinsi «nëse»? A thua të jetë i paditur për faktin e mirënjohur se ka mijëra shembuj të sjelljes altruiste nga njerëzit? Madje një pjesë e konsiderueshme e tyre ilustrojnë atë që iu referua Jezusi kur Ai tha: «Askush s'ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij» (Gjoni 15:13). Konsideroni shembujt që vijojnë, që janë vetëm një nga shumë të tillë:
Presidenti Bush shpërbleu me titullin më të lartë ushtarak një ushtar 19 vjeçar që u vra në Irak duke u hedhur mbi një granatë për të shpëtuar shokun e tij ushtar. Ushtari Tom MekGinis, nga Noksi, Pa., u vra në një lagje në Bagdad në 4 dhjetor 2006, kur një granatë u hodh në kapakun e artiljerit të një makine ushtarake që po ngiste.... Ushtari MekGinis kishte mjaft kohë për t' u hedhur dhe shpëtuar veten, por në vend të kësaj ai u hodh brenda kapakut dhe e mbuloi me trup granatën, duke thithur pjesët e shkëputura. Ai vdiq menjëherë. Të gjithë anëtarët e ekuipazhit shpëtuan. [3]
Historia regjistron shumë akte të tilla vetëflijimi, duke përfshirë një numër të konsiderueshëm prej tyre gjatë këtyre viteve të fundit. Daukinsi nuk ka «shpjeguar» asnjë prej tyre. Sigurisht, asgjë prej heronjve nuk kontrollohej nga «gjene egoiste».
Ne e dimë nga përvoja se sjellja njerëzore nuk është e qëndrueshme. Dikush mund të jetë shumë bujar sot dhe shumë në të kundërtën ditën e nesërme. Ky fakt shpjegon përse industria e lulëzuar dhe fitimprurëse e psikologjisë ishte dënuar përpara se të fillonte. Është e pamundur të kesh një shkencë të sjelljes njerëzore? Përse? Sepse subjekti i eksperimentit është duke kërcyer në trajtë tekanjoze me një vullnet të lirë dhe askush nuk e di se çfarë do të bëjë më pas! Nëse sjellja njerëzore do të shpjegohej «shkencërisht», ne nuk do të ishim më njerëz, por mekanizma stimul-reagim.
Sigurisht, kjo do t'i gëzonte ateistët. Nëse nuk do të kishte shpirt dhe frymë, as vullnet të lirë, dhe nëse nuk do të ekzistonte gjë tjetër veç lëndës, atëherë sjellja njerëzore do të mbulohej nga ligjet shkencore. Kjo do ta shkatërronte njeriun siç e krijoi Perëndia dhe siç na tregon përvoja dhe intuita se kush jemi. Vullnet i lirë nuk do të jetë dhe gjithçka tjetër që e bën njeriun një agjent moral. Ne të gjithë e dimë nga intuita se sjellja njerëzore nuk mund të shpjegohet nga ajo se çfarë mund të jenë duke bërë gjenet e dikujt, mirëpo kjo është «shpresa» e ateistëve, të cilët e mohojnë vullnetin e lirë nga detyrimi.
Nuk është për t'u çuditur që ateisti belbëzon shumë. Ai e gjen anijen e tij duke u mbytur dhe nuk mund t'a heqë ujin aq shpejt sa ajo të qëndrojë mbi ujë. Siç theksoi psikiatri tjetër në filmin «Po Bobi?, ndërsa ia ktheu Dr. Leo Marvinit ish-pacientin e tij: «Ne jemi një lloj që po merr fund, Leo!» Pavarësisht nga ky fakt, numri i viktimave të psikologjisë vazhdon të rritet.
Psikologët dhe psikiatërit kanë luftuar për vite të tëra që profesioni i tyre të njihet si shkencë, siç duket të pavetëdijshëm se nëse ambicia e tyre do të plotësohej nga një pranim i përgjithshëm i kësaj dëshire, njeriu nuk do të ishte më agjenti me vullnet të lirë që Perëndia e krijoi të ishte.
Ateisti Sam Harris, një nga drejtuesit kryesorë, ashtu si Daukinsi, në lëvizjen e ateistit të Ri, përpiqet të tingëllojë me autoritet, por dështon në mënyrë të mjerueshme:
Ndërkohë që ne nuk kemi një shpjegim shkencor përfundimtar mbi moralin njerëzor, duket e sigurt të themi që dhunimi dhe vrasja e komshinjve tanë nuk është një nga përbërësit kryesorë të tij [të moralit]. Çdo gjë nga përvoja njerëzore sugjeron se dashuria është më e favorshme për lumturinë, sesa është urrejtja. Ky është një pohim objektiv rreth mendjes njerëzore, rreth dinamikës së marrëdhënieve sociale dhe rreth rendit moral të botës sonë. Është e mundshme, pra, të thuash se dikush si Hitleri e kishte gabim në terma morale, pa iu referuar shkrimeve. [4]
Rendi moral i botës sonë? Cili është ky rend dhe kush vendos se si duhet të jetë? A është në gjenet tona apo në ndërgjegjen tonë – dhe përse? Çfarë është ndërgjegjja? Kërkimi kuturu për një shpjegim psikologjik dhe si rrjedhim siç duket «shkencor», ateistët flasin për «dashuri» me terma krejt utilitariste. Cila do të jetë marrëdhënia e dashurisë mes një çifti të fejuar apo një burri dhe gruas apo një nëne dhe fëmijës nëse secila palë ishte e interesuar vetëm për lumturinë e vetvetes? «Lumturia» fillestare do të degjenerohej (siç ndodh shpesh) në grindje se kush nuk po tregohej i drejtë më tjetrin.
Studiuesit nga «Universiteti e Përroit të Gurtë» (Stony Brook University) në Nju Jork [...] duke skanuar trutë e njerëzve që kanë qenë së bashku për 20 vjet [...] zbuluan se rreth një në 10 çifte vazhdon të shfaqë elemente të «limerencës», termi i psikologëve për sjelljen e ngulët të të dashuruarve të rinj.... Shkencëtarët i quajnë ata mjellma (partnerë mjellma për jetë).... Artur Aroni (Arthur Aron), drejtues i studiuesve [...] dhe grupi i tij kanë caktuar një bazë biologjike për romancën [...] [duke] gjetur modele identike të trurit te të dashuruar nga Nju Jorku në Pekin. Në mënyrë jo romantike, ata thonë se dashuria lind në qarkun e trurit që është në kërkim pas shpërblimit, jo në zemër, por ne nuk jemi më keq për këtë. Dashuria ka rëndësi. [5]
Bibla pohon në mënyrë të qartë dhe këtë e pranon edhe gjykimi ynë i shëndoshë, se zemra është termi i përshtatshëm për ta përdorur kur flasim për dashurinë. Kjo ka qenë intuita e njerëzimit që nga fillimi. Akoma mbaj mend kur një ri do të skaliste inicialet e tij në një pemë, do të vendoste shenjën plus me inicialet e të dashurës poshtë tyre, pastaj do të rrethonte të gjithë këtë me një zemër. Për aq kohë sa janë dërguar kartolina me rastin e Valentinit, zemra ka qenë gjithnjë një simbol i dashurisë së vërtetë. Dhe tani «studiuesit» na thonë se për gjithë këta shekuj burrat dhe gratë kanë qenë viktima të një shakaje të egër: nuk është zemra ajo që ka rëndësi, por disa përqendrime të molekulave në pjesë të ndryshme të trupit. Sipas kësaj pikëpamje të re të «shkencës», kjo nuk ka rëndësi.
Nëse do të ishte kështu, atëherë Bibla është në gabim. Nëse psikologët kanë të drejtë, atëherë përse do të urdhëronte Perëndia që «Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde»? (LiP. 6:5). Përse shpalli Pali: «Po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh»? (Rom. 10:9). Sigurisht, me «zemër» Bibla nënkupton «sinqeritet» dhe ky ka qenë gjithnjë kuptimi i përbashkët i njerëzimit.
Një artikull nga «Shkenca e përditshme» (9/8/08) na tregon se shkencëtarë nga «Instituti Karolinska» [jashtë Stokolmit, Suedi] pohojnë se kanë zbuluar një lidhje midis variantit specifik të një gjeni dhe mënyrës se si njerëzit lidhen apo nuk lidhen me partnerët e tyre. Më pas ata pranojnë se ndikimi është relativisht modest dhe nuk mund të përdoret për të parashikuar me ndonjë saktësi reale sjelljet e ardhshme.
Përse do t'i futej dikush studimit për diçka që nuk do të ketë asnjë vlerë parashikuese? Është e qartë, pra, se studiuesit nuk kanë asnjë qëllim tjetër mbrapa kësaj, veç të vërtetojnë disi se Perëndia nuk nevojitet për të shpjeguar sjelljen njerëzore – ose edhe për çdo gjë tjetër. Megjithëkëtë, shkencëtarë në mbarë botën ngulin këmbë duke u përpjekur të kapin këtë shpjegim shkencor të pakapshëm për sjelljen njerëzore. Dhe kur ata mendojnë se e kanë kapur, ata zbulojnë se nuk kanë me të vërtetë asgjë. Mbasi kanë ikur gjithë ato përpjekje për të përcaktuar «variantin e një gjeni specifik» që «shpjegon» romancën dhe dashurinë, na thuhet se fuqitë e tij parashikuese nuk janë edhe aq të sakta apo domethënëse. Me fjalë të tjera, studiuesit kanë harxhuar kohën e tyre dhe tonën për shkak të dëshirës së tyre që të vërtetojnë se nuk ka Perëndi. Dikush mund ta ngjasojë këtë përvojë me zbulimin e një skulptori që guri i madh të cilin e kishte latuar dhe pastruar me kujdes nuk ishte mermer në fund të fundit, por një gur i thjeshtë fushe.
Këta «shkencëtarë» po përpiqen ka shumë për të mbështetur pikëpamjen e tyre ateiste të njeriut, që i zmadhojnë rastet e tyre. Ka qenë opinioni i zakonshëm në çdo brez se filmat, operat, muzika dhe poezia më e madhe kanë një gjë të përbashkët: ato të gjitha shprehin, edhe pse në mënyra të larmishme, se dashuria është përvoja më e madhe që mund të ketë dikush. Kush do të guxonte ta argumentonte këtë?
Megjithëkëtë, ka probleme. «Dashuria» mund të kthehet shumë shpejt në urrejtje. Ky fakt demonstrohet më qartë çdo ditë ndërsa numri i divorceve shkon gjithnjë e më lart. Një çift i ri qëndron përpara dëshmitarëve dhe betohet për dashurinë e tyre të pavdekshme «derisa vdekja të na ndajë». Pas gjashtë vjetësh – ose mund të jenë gjashtë muaj ose, në disa raste, gjashtë javë dhe madje gjashtë ditë – ajo që secila palë e mendoi se ishte dashuri e vërtetë, dashuri e qëndrueshme është kthyer në grindje, akuza, zemërim dhe, në disa raste, edhe në kërcënime dhune. Ai premtim, «derisa vdekja të na ndajë», bëhet më e keqe se fjalë boshe. Si është e mundur?
A do të gjendet përgjigjja e kësaj enigme në gjenet e trurit apo diku atje? Përkundrazi, përgjigjja nuk gjendet në asnjë pjesë të anatomisë, por në shpirtin dhe frymën dhe vullnetin. Ndoshta secili prej nesh mendoi se premtimi i dashurisë të qëndrueshme që i dhamë njëri-tjetrit nuk do të ftohej kurrë, aq më pak shndërrohej në urrejtje. Ata zbulojnë se dashuria e vërtetë nuk është thjesht një emocion kalimtar; ajo përfshin një përkushtim për tërë jetën. Nëse ata të cilët zhvillojnë më vonë çka bota e quan «probleme martesore» do të shqyrtonin çiltërsisht zemrat e tyre, ata mund të detyroheshin të rrëfenin se nuk kanë patur kurrë si qëllim për të vendosur një lidhje të pathyeshme.
Jo vetëm kartolinat e Valentinit që vijnë nga arsyetimi i përbashkët i njerëzimit, por edhe vetë Bibla ka shumë për të thënë rreth zemrës. Jeremia na thotë se «zemra është mashtruese mbi çdo gjë tjetër dhe jashtëzakonisht e ligë». Davidi, në Psalmi 139, thotë: «Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time». Në Fjalët e Urta urdhërohemi: «Ki besim te Zoti me gjithë zemër»; Luka 8:15 na thotë: «Pjesa që ra në tokë të mirë janë ata që, pasi e dëgjuan, e ruajnë [atë] në zemër të ndershme dhe të mirë dhe japin fryt të qëndrueshëm»; dhe Luka shkruan në Veprat 2:37: «Kur ata i dëgjuan këto gjëra, u pikëlluan në zemër dhe pyetën Pjetrin dhe apostujt: “Vëllezër, ç'duhet të bëjmë?”».
Për t'iu përgjigjur pyetjes «Çfarë është dashuria e vërtetë?», vendi i fundit ku duhet ta kërkojmë janë psikologët. Ata janë shumë të aftë për të zvogëluar shpjegimin e dashurisë duke na thënë një përkufizim psikologjik dhe shumë të shkurtër se çfarë duhet të dimë. Ne kemi nevojë të konsultojmë më tepër Fjalën e Perëndisë. Dashuria e vërtetë vjen vetëm nga Perëndia, ndërsa i dorëzohemi Atij dhe e lejojmë Atë që të derdhë dashurinë e Tij përmes nesh te të tjerët. «Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari» (1 Gjo. 4:19; «Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e tij për shlyerjen e mëkateve tona» (1 Gjonit 4:10).
Asnjë nga ne nuk është burimi i dashurisë. Në rastin më të mirë ne jemi enë të zbrazura që Ai të na mbush me dashurinë e Tij dhe të na bëjë kanale të asaj dashurie për të tjerët. Shumë prej nesh janë tepër të mbushur me vetveten dhe nuk kanë vend për të dashur Perëndinë ose për të dashur me të vërtetë të tjerët. Nuk duhet të jetë kështu. Ne mund ta bëjmë këtë lutje të vazhdueshme: «Zot, më ndihmo të të dua Ty me gjithë zemrën time, mendjen dhe shpirtin. Pastaj derdh dashurinë Tënde përmes meje te të tjerët».
Dashuri e vërtetë është dashuria e Perëndisë dhe është përshkruar kështu:
Më vër si një vulë në zemrën tënde, si një vulë mbi krahun tënd; sepse dashuria është e fortë si vdekja, xhelozia është e ashpër si sheoli [varri, që ka një] flakë që përvëlon. Ujërat e mëdha nuk do të mund ta shuajnë dashurinë, as lumenjtë ta përmbytin. Në rast se dikush do të jepte tërë pasuritë e shtëpisë së tij në këmbim të dashurisë, do të përbuzej me siguri. (Kënga e Këngëve 8:6-7).