MONDAY, SEPTEMBER 06, 2010

Kampi Biblik Prill 09

Te dashur vëllezër,

Ju përshëndesim me shume dashuri në Zotin tonë Jezu Krisht. Edhe këtë vit Zoti na dha hir e na bekoi duke na dhënë mundësinë e organizimit

të një kampi biblik në pushimet e fundjavës së pashkëve.

Dy ishin veçantitë e këtij kampi:

Bashkëpunimi dhe pjesëmarrja e katër kishave : Asambleja e Vlorës, kisha e Fierit (Gionatan Rosheger), Poros  dhe Semanit. Ky kamp ishte dhe veprimtaria e parë në kuadrin e një kalendari bashkëpunimi dhe inkurajimi që me këto kisha kemi përcaktuar për vitin 2009.

Predikuesi, vëllai Stefano Standrige, i cili vinte për herë të parë në Vlorë dhe predikoi një studim të veçantë mbi familjen e krishterë.

Tema qe u trajtua ne kamp ishte “Shtëpia e krishterë, i vetmi vend i sigurt në këtë botë të paqëndrueshme për dy bashkëshortët”. Kjo temë u zhvillua në 6 takime, në të cilat u spieguan nga predikuesi parimet themelore hyjnore që e mbajnë të qëndrueshme familjen në Zotin si:

1.   Sinqeriteti

2.   Koherenca

3.   Përulësia

4.   Falja

5.   Komunikimi

6.   Lutja, duke patur si shembull të përsosur marrëdhënien e Perëndisë me popullin e Izraelit, si dhe marrëdhëniet e Jezusit me dishepujt dhe ne.

U theksua fakti se martesa nuk duhet parë si diçka që që jepet nga Perëndia për të kënaqur interesat tona egoiste. Por është një instrument që Zoti përdor për të ndërtuar në jetën e çiftit përsosjen drejt shtatores së Krishtit, dhe nëpërmjet tyre për të ndërtuar në jetën e kishës,  si dhe një dëshmi ndaj njerëzve të botës për gjërat e mëdha të karakterit dhe veprës së Perëndisë. Një kishë e shëndoshë përbëhet nga familje të shëndosha. Të gjitha parimet biblike që aplikohen në jetën e besimtarëve janë njëlloj të vlefshme edhe për jetën  e një çifti besimtarësh. Kjo do të thote se e gjithë Bibla flet për atë se si duhet ndërtuar dhe duhet të funksionoje marrëdhënia dhe jeta e një çifti të krishterë.

Pas çdo studimi kalohej një kohë diskutimi në grupe ose reflektim personal në çifte lidhur me gjerat e trajtuara. U konstatua me gëzim se Zoti u ka folur shume çifteve te reja që janë lidhur ne kishat tona, për ta parë jetën bashkëshortore si një shërbesë ndaj Perëndisë dhe Kishës së Tij.

Ishte shumë e bukur edhe përbashkësia që shijuam me besimtarët e kishave të tjera, gjë që na afroi edhe më shumë.

Mirënjohja i takon Zotit dhe Dashurisë së tij.

“Çohuni dhe bekoni Zotin, Perëndinë tuaj, nga përjetësia në përjetësi! Qoftë bekuar emri yt i lavdishëm, që lartësohet mbi çdo bekim e lëvdim! Vetëm ti je Zoti! Ti ke bërë qiejtë, qiejtë e qiejve dhe tërë ushtrinë e tyre. Dheun dhe tërë ato që është në ta. Ti i mban gjallë tërë këto gjëra dhe ushtria e qiellit të adhuron.”. Nehemia 9:5/b-6